Gojëdhëna e dokumente

Në Pukë, Bytyçi përmendet për herë të parë në vitin 1637 (Frang Bardhi, 1965).

Kaloshi (2004) shpjegon se bytyçët, banorë anas të Luginës së Komanit, janë përhapur në Qerret të Epërm e të Poshtëm (ose të Vogël), në Kçirë, Lëvrushk e Koman. Edhe pse këta nuk mund ti lidhin brezat me njëri-tjetrin, mendohet se janë të një gjaku, ashtu si edhe shume bytyçë që janë zhvendosur këto treva në Kosovë, sidomos në rrethinat e Gjakovës e Pejës. Shumë autorë hamendësojnë se bytyçët e Luginës së Komanit mund të jenë të të njëjtit trung edhe me ata të Malësisë së Gjakovës (Kaloshi, 2004; Elsie, 2015; Gazulli, 1939; Valentini, 2007).

 

Rezultatet e testeve gjenetike

Në Projektin Shqiptar të Gjenetikës, janë testuar deri tani tre bytyçë nga Puka: një nga Qerreti i Madh, dhe dy prej tyre të zhvendosur në Kosovë gjatë dy shekujve të fundit, por me prejardhje nga Qerreti i Vogël dhe Komani. Të tre kanë i takojnë të njëjtës linjë gjenetike atërore: I1-Z63>Y60985>BY105294. Mund të shihet qartë se të tri këto degë të bytyçasve të Pukës, edhe pse dalë nga fshatra të ndryshme, janë të një trungu. Rezultate të ngjashme kanë edhe disa të testuar nga familje në Qelëz e Kçirë që nuk e konsiderojnë veten të fisit Bytyç. Gjithashtu, një lidhje më e largët gjaku, ndoshta rreth 600-700 vjeçare, ekziston me fisin e Kabashit, pasi i bashkon mutacioni I-Y60985 (lidhjet në foto).


Duke marrë parasysh këto lidhje me banorët e tjerë të Pukës, mund të hamendësohet se Bytyçi është me banim mjaft të hershëm në Luginën e Komanit.

shares