Gojëdhëna dhe dokumenta

Bytyçi përmendet për herë të parë në Malësinë e Gjakovës, në defterin Osman të vitit 1571, ku fshati Rodogosh, sot me fis Berishë, quhet “Rodogoshi dhe Mëhalla Bytyç” (Pulaha, 1975).

Bytyçët e Tropojës numërojnë rreth 14-15 breza deri te i pari i tyre, Leka. Thuhet se me të mbërritur në Bytyç, djemtë e Lekës u përhapën e filluan të krijojnë vëllazëri të reja: Bibë Leka qëndroi në afërsi të Pacit, Karl (ose Kral) Leka u vendos në Viliq, kurse Vili u zhvendos drejt Prizrenit. Më vonë, pasardhësit e Bibë Lekës, populluan fshatrat Zherkë e Çorraj, e prej aty dolën në Leniq, Kam, Kepenek e Zogaj. Ndërkohë, pasardhësit e Karlit u përhapën në Breg të Vladit, Vlad e Çorroj. Bytyçët e Tropojës, pra, mendohet të jenë të gjithë të një gjaku, pasardhës të dy vëllezërve. Më qartë, gjithë këto lëvizje i kemi përmbledhur në hartën e mëposhtme.

Përveç Vil Lekës, me kalimin e kohës, edhe shumë bytyças të tjerë, si nga vija e Karlit, ashtu edhe nga vija e Bibës, janë zhvendosur nga Bytyçi i Tropojës në drejtim të Kosovës. Një pjesë e mirë pasardhësve të tyre e kanë ruajtur kujtimin e prejardhjes nga Tropoja. Disa mund ti lidhin edhe emrat e paraardhësve të tyre, me vëllazëritë përkatëse në Tropojë. Edhe këta bytyças, pra, duhet të jenë të të njëjtit gjak, në vijë atërore.

 

Rezultatet e testeve gjenetike

Nga Bytyçi i Tropojës, në Projektin Shqiptar të Gjenetikës, janë testuar dy persona. Njëri, me mbiemër Lauka, është pasardhës i vijës Mark-Vatë-Vil-Karl-Lekë, kurse tjetri, me mbiemër Isufi, është pasardhës i vijës Isuf-Hysen-Pac-Bibë-Lekë. Të dy kanë të njëjtin rezultat gjenetik: R1b-Z2103>BY611>Z2705. Rezultati i njëjtë vërteton prejardhjen e përbashkët, siç e kujtojnë gojëdhënat. dhe duke qenë se vjen nga pasardhës të dy djemve të ndryshëm të Lekës, sugjeron se edhe vete Leka duhet ti ketë takuar kësaj linje.

Një hollësi interesante është se në rezultatet e dy personave të lartpërmendur dallohet një ndryshim i lehtë, por i mjaftushëm për të kuptuar me cilin prej tyre janë më afër bytyçët e tjerë të testuar. Pra mund të dallohet, nëse bytyçët e Kosovës, për shembull, janë pasardhës të Bibë Lekës apo të Karl Lekës.

Nga bytyçët e Kosovës që ruajnë kujtime të ardhjes nga Tropoja, janë testuar deri tani (mars 2019) gjashtë persona. Tre të  tjerë janë në testim e sipër. Një prej të testuarve, nga fshati Shkozë i Malishevës, sipas traditës së pleqve është pasardhës i vijës Lekë>Karl>Vil>Vatë>Mark. Të tjerët nuk mund ti lidhin brezat me vllaznitë e Tropojës por e dinë se aty i kanë pasur të parët. Të gjithë kanë rezultatin gjenetik R1b-Z2103>BY611>Z2705, ashtu si edhe dy bytyçët e Tropojës, çka vërteton traditat fisnore.

Të testuarit nga fshatrat Shkozë, Kastërcë, Nishor dhe Semetisht janë gjenetikisht më afër me Laukën, pra duhet të jenë pasardhës të Karl Lekës, kurse të testuarit nga Shajkofci i Podujevës dhe Kërvaseria e Malishevës duhet të jenë pasardhës i Bibë Lekës sepse janë më afër me Isufin.

Mbështetur në këto të dhëna, mund të paraqesim lidhjet e gjakut mes këtyre të testuarve sipas skemës së mësipërme. Rritja e numrit të të testuarve dhe cilësisë së testeve, do të na mundësojë hartimin e një peme më të hollësishme në të ardhmen.

 

Alban Lauka – 03/2019

 

 

shares