Prejardhja e fshatit Zogaj

Sipas traditës së fisit, popullsia e fshatit Zogaj ka prejardhje nga të gjitha vëllazëritë e krijuara nga Bibë Leka. Gjithashtu, është edhe një familje me mbiemër Muhametaj, e cila mendohet se ka prejardhje nga Zmolica e Gjakovës por që tashmë është pjesë e bajrakut Bytyç.

Kohët e fundit janë shfaqur në 23andme dy rezultate interesante nga fshati Zogaj në Tropojë. Kjo kompani nuk kryen teste aq të thella të kromozomit Y sa të përcaktojnë nëndegën e të testuarve, prandaj këto rezultate nuk mund të vendosen në tabelë. Megjithatë, edhe klasifikimi me rezolucion të ulët që jep 23andme, lejon një interpretim të thjeshtë por interesant mbi prejardhjen e fshatit Zogaj.

Një prej të testuarve është pasardhës i Gjon Bibë Lekës dhe i takon haplogrupit R-CTS9219. Rezultatet e bytyçasve të tjerë nga Malësia e Gjakovës janë R-BY611>Z2705, por faktikisht këtu ka përputhje sepse kjo është nëndegë e CTS9219. Por përdesisa 23andme nuk teston aq imtësisht sa të dallohen edhe nëndegët, klasifikimi mbetet në këtë grup më të përgjithshëm (prandaj rekomandojmë testim përmes YSEQ ose FTDNA). Pra, është pothuajse krejt e sigurtë që edhe ky pasardhës i Gjon Bibës i takon nëndegës R-Z2705, si gjithë pjesa tjetër e fisit. Kështu, nga linjat e katër nipave të Lekës, vetëm ajo e Martin Gjon Biba nuk është testuar ende. Tri të tjerat janë të të njëjtës prejardhje gjenetike.

I testuari tjetër është pikërisht nga familja Muhametaj që u përmend më lart. Rezultati i tij është E-V13, pra qartësisht i ndryshëm nga pjesa tjetër e fisit, edhe pse një rezultat gjithashtu karakteristik shqiptar. Nëndega nuk mund të dallohet, por nisur nga rezultatet e fiseve të tjera, mund të përjashtohet lidhja e gjakut edhe me Krasniqen dhe Gashin, por nuk përjashtohet një lidhje me Thaçin ose Berishën. Me këdo që të jetë lidhja, rezultati konfirmon gojëdhënën mbi prejardhjen e veçantë të kësaj familje.

shares