Bytyçi i Malësisë së Gjakovës në pemën gjenealogjike të YFull

Rezultati i parë nga Bytyçi i Malësisë së Gjakovës në pemën e YFull mund të gjendet këtu, si një linjë e veçuar e degës R1b-Z2103>BY611>Z2705, me ID: YF17267. YFull paraqet vetëm testet me rezolucion optimal, gjë lejon krahasime të imtësishmë për të përcaktuar me përpikmëri e sa më të lartë kohën e afërsinë gjenealogjike mes anëtarëve.

Siç shihet, mes atyre që janë testuar thellësisht, lidhjet prej jo më shumë se 1500 vitesh, janë me popuj të Ballkanit. Më konkretisht, lidhjet rreth 1500 vjeçare janë me një degë që përfaqësohet me një person nga vllaznia Kapit e Tropojës (pjesë e bajrakut të Nikajve, por pa lidhje gjaku me ta); një degë që përfaqësohet nga një rezultat nga zona e Artës në Greqi, dhe që ka edhe rezultate të tjera nga Shqipëria, të cilët nuk janë testuar me rezolucion aq të lartë sa për tu shpallur në YFull; një degë që përfaqësohet nga një rezultat nga Dalmacia; dhe me degën R-Y32147, e cila është mjaft e përhapur në Ballkan, por sidomos ndër shqiptarë. Nga Projekti Shqiptar për ADN, dimë që ekzistojnë edhe degë të tjera shqiptare, që duhet të shfaqen në këtë degëzim në muajt e ardhshëm. Lidhjet më të largëta, deri 4800 vjeçare, janë kryesisht me rezultate nga Italia.

Pozicioni në këtë degë të pemës gjenealogjike botërore sugjeron se prejardhja 1500-3300 vjeçare duhet të jetë nga trojet shqiptare, ose të paktën nga Ballkani perëndimor. Edhe para më shumë se 3300 vitesh, paraardhësit më të hershëm mund të jenë gjendur diku në pellgun verior të Mesdheut, por më shumë teste të cilësisë së lartë duhen shqyrtuar për të rritur sigurinë e këtyre hipotezave.

Vetëm edhe një test tjetër i këtij rezolucioni nga Bytyçi i Malësisë së Gjakovës do të mjaftonte pët të zbuluar mutacionet e veçanta të fisit, gjë që lejon verifikimin e kohës e formimit të tij, zhvillimin e një peme më të hollësishme gjenealogjike, dhe hulumtimin e lidhjeve me fiset e tjera përreth, duke shërbyer kështu edhe për zbulimin e prejardhjes së fisit në një periudhë 400-1500 vjeçare.

Ndërkohë, dy rezultate nga një familje e Bytyçit të Pukës gjenden gjithashtu në YFull, pozicionuar në degën I-Y60985, me ID: YF05906 & YF15266.

 

shares