Bytyçi është një ndër fiset e mëdha shqiptare. Trualli kryesor i Bytyçit zë pjesën juglindore të rrethit të Tropojës, ku ky fis formoi një ndër tre bajrakët e Malësisë së Gjakovës. Troje të tjera të banuara kryesisht me Bytyças ka në Pukë dhe në shumë pjesë të Kosovës. Bytyçi përmendet për herë të parë në Malësinë e Gjakovës, në vitin 1571, kurse në Pukë në 1637.

Ka dy teori mbi prejardhjen e fisit të Bytyçit. E para, thotë se Bytyçi rrjedh nga Shkreli i Malësisë së Madhe. Kjo gojëdhënë jepet nga gjithë banorët e Bytyçit në Tropojë dhe një pjesë e mirë e atyre në Pukë. E dyta thotë se Bytyçi ka qenë me banim të hershëm në Pukë, dhe bytyçët e Malësisë së Gjakovës dhe Kosovës i kanë rrënjët aty . Ky version është përhapur më shumë nga disa autorë që kanë shkruar për fiset shqiptare, duke filluar nga Gazulli.

Përparimi teknologjik në fushën e gjenetikës mundëson sot gjetjen e lidhjeve qindra- dhe mijëra-vjeçare të gjakut përmes një testi të thjeshtë. Në këtë faqe do të mbledhim dhe interpretojmë të dhëna gjenetike të bytyçëve për të kuptuar lidhjet e gjakut me njëri-tjetrin dhe popullsinë përreth, dhe hulumtuar më tej prejardhjen e fisit.

 

Rezultatet gjenetike

Deri sot (prill 2019) kemi mbledhur 14 rezultate nga zona të ndryshme të banuara nga fisi Bytyç. Të gjithë anëtarët me prejardhje nga Tropoja kanë rezultatin R-Z2705, kurse çdo anëtar me prejardhje nga Puka ka rezultatin I-BY105294. Me këto rezultate, mund të dilet në disa përfundime të rëndësishme:

 

      • Bytyçi i Malësisë së Gjakovës dhe Bytyçi i Pukës nuk kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin, në vijë atërore.

 

      • Si Bytyçi i Tropojës, edhe ai i Pukës, janë në vetvete gjenetikisht homogjenë. Pra, gjithë bytyçët e Tropojës e kanë prejardhjen nga një burrë, dhe gjithë bytyçët e Pukës e kanë prejardhjen nga një tjetër. Paraardhësi i përbashkët i gjithë Bytyçit të Pukës ka jetuar para rreth 400-600 vitesh.

 

      • Bytyçët e Kosovës që janë testuar deri tani, janë me prejardhje ose nga Malësia e Gjakovës, ose nga Puka. Zona mes Gjakovës dhe Qafë Prushit, dominohet nga një degë e Bytyçit të Pukës. Edhe rrethinat e Pejës kanë vllazni bytyçase me të njëjtën prejardhje. Zona e Llapushës shfaq homogjenitet të lartë të prejardhjes nga Malësia e Gjakovës. Gjithashtu, edhe fshatrat Lladofc dhe Shajkofc i kanë rrënjët në Tropojë. Këto shtegtime duhet të kenë ndodhur jo më larg se para 300-500 vitesh.

 

      • Gojëdhënat familjare rreth prejardhjes janë të sakta. Pikërisht ato familje që kujtojnë prejardhje nga Tropoja kanë gjetur lidhje gjaku me kushërinjtë në Tropojë, kurse ato që flasin për prejardhje nga Puka kanë lidhje gjenetike me të tjerë në Pukë.

 

      • Gojëdhëna e Bytyçit të Malësisë së Gjakovës që tregon se gjithë anëtarët e fisit janë pasardhës të Bibë Lekës dhe Karl Lekës duket e saktë. Në rezultatet e bytyçëve të Malësisë së Gjakovës dallohen qartësisht dy linja të ndryshme atërore, që gjithsesi bashkohen në një paraardhës. Shpejt do të mund të verifikojmë edhe afërsisht në sa breza bashkohen dy linjat.

 

      • Bytyçi i Pukës ka një lidhje të largët gjaku me fisin e Kabashit. Dy linjat bashkohen në rreth 25-35 breza, gjë që sugjeron prani të gjatë të të dy fiseve në Pukë.

 

Hollësi të mëtejshme rreth gjetjeve të deritanishme mund të gjeni në faqet Bytyçi në Malësi të Gjakovës dhe Bytyçi në Pukë. Ftojmë çdo bytyças që ka dëshirë të zbulojë prejardhjen e tij të testohet dhe t’i bashkohet projektit tonë.

 

Alban Lauka – Prill 2019

shares